
Krijohet Operatori Kombëtar i Ujit, gati faza e dytë e reformës, plan masash për abuzimet
Qeveria synon të krijojë një Operator Kombëtar të Shpërndarjes së Ujit i cili synon të transformojë sektorin duke qendërzuar menaxhimin e kompanive në një skemë të ngjashme siç funksionon sot sektori i energjisë.
Në fjalën e tij të mbajtur gjatë prezantimit të kësaj nisme Kryeministri Edi Rama tha se kjo është faza e dytë e reformës që nisi në vitin 2021 për agregimin e 58 shoqërive në 15 të tilla.
“Një hap i rëndësishëm që do të hedhim së shpejti lidhet me krijimin e Operatorit Kombëtar të Shpërndarjes së Ujit. Sektori i ujit është një sektor që kërkon investime të mëdha dhe administrim të përgjegjshëm.
Kemi bërë në këto vite investime të mëdha dhe kemi rritur përgjegjshmërinë e administrimit, por tanimë jemi të bindur, duke parë edhe ecurinë e një reforme që u mor para disa viteve për përfshirjen e qeverisë në aksionet e ndërmarrjeve të ujësjellësit, se nuk kemi më asnjë arsye të humbasim kohë të mëtejshme dhe të besojmë në ndonjë zgjidhje tjetër, përveçse në një zgjidhje që, për hir të së vërtetës, na është sugjeruar disa vite më parë nga disa prej ekspertëve dhe eksperiencave që kemi analizuar në vende të suksesshme.
Fragmentimi, në emër të decentralizimit, i sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje ishte një katastrofë e vërtetë. Borxhet e larta, paaftësia në menaxhim, e lidhur shumë edhe me politizimin ekstrem të burimeve njerëzore në këto ndërmarrje, si dhe mungesa e ekspertizës që është shoqëruar me mungesë të investimeve në mirëmbajtje, sollën situata shumë të pajustifikueshme. Ndërkohë, që paralelisht ne, nga ana jonë, kemi bërë investime masive” tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se objektivi i Shqipërisë për të pasur një turizëm me standard nuk mund të arrihet nëse nuk plotëson kërkesat bazike.
“Ne duam të shkëlqejmë në turizëm, dhe volumi i kërkesës për ujë në pikut turistik rritet në mënyrë marramendëse, ndërkohë që kapaciteti për furnizim është tërësisht i pamjaftueshëm dhe niveli i papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë në pushtetin vendor është i rrezikshëm. Ju sjell shembullin e Vlorës, që nisi sezonin këtë vit me një situatë të papranueshme të alarmit të zonave të tëra të bashkisë për furnizim me ujë.
Nuk është se bëmë ndonjë investim në ato ditë, por thjesht dhe vetëm komandimi me një mision të posaçëm me një ekip nga Tirana dhe me vëmendjen e posaçme nga ministria, sidomos nga ministrja, për ta vënë në vijë me ato që gjendeshin në administrim, solli një përmirësim të jashtëzakonshëm të asaj situate dhe hoqi ankthin, pasigurinë dhe ndjesinë e emergjencës. Si mund të ndodhë kjo? Raporti i bërë nga ai ekip për situatën e administrimit të ujësjellësit të Vlorës ishte i frikshëm” the Kryeministri.
Ai nënvizoi se borxhet e akumuluara nga këto ndërmarrje, të administruara nga pushteti vendor, në vitin 2020 arritën në 13.6 miliardë lekë. “Në vitin 2021 morëm hapin e parë duke hyrë në procesin e bashkimit të ndërmarrjeve dhe, nga 58 shoqëri, krijuam 15 shoqëri rajonale.
Natyrisht, që qëllimi ishte përmirësimi i performancës dhe përgjegjshmërisë në administrim, dhe sot kemi rezultate domethënëse që na tregojnë një gjë: përgjigjja ndaj kësaj sfide është bashkimi, jo copëzimi. Sot kemi 9 shoqëri rajonale nga 15 që nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE. Është një hap i jashtëzakonshëm” tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se në këtë fazë të dytë do të ketë një plan masash që synon të ulë abuzimet në rrjetin e ujit.
“Kështu që nisim këtë fazë të dytë të reformës, ndërkohë që po ju them një gjë: nga faza e parë e reformës janë lidhur në rrjet 100 mijë përdorues të rinj dhe janë prerë një numër i konsiderueshëm lidhjesh të paligjshme.
Sa i përket reformës, jemi shumë të qartë se çfarë do të bëjmë, nga prodhimi tek shpërndarja, furnizimi, siç bëjmë me energjinë – njësoj. Ama, njësoj siç kemi bërë me energjinë, do të ndërhyjmë me plan masash për të ndaluar abuzimet. Ndryshe nga energjia, këtu nuk kemi qytetarë që abuzojnë, por kemi abuzues për qëllime fitimi: abuzues me lavazhe nëpër lagje, abuzues me ujë që derdhet në rrugët kombëtare, abuzues me lidhje të paligjshme nëntokë, të cilët do të jenë target i planit të masave, në mënyrë që pjesa e qytetarëve që paguajnë ujin të marrin shërbim të drejtë.
Kjo është koha të nisë puna për heqjen e depozitave që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme mbi pallate. Hap pas hapi, natyrisht, dhe duke u shpjeguar njerëzve që heqja e depozitave përmirëson furnizimin” nënvizoi ai.
/Monitor (https://monitor.al/krijohet-operatori-kombetar-i-ujit-gati-faza-e-dyte-e-reformes-plan-masash-per-abuzimet/)
Më të lexuarat








